Haziri: Gjykata Kushtetuese të ketë një rol vendimtar në tejkalimin e krizës politike

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për situatën politike në vend, duke theksuar se mungesa e institucioneve po e mban Kosovën peng, ndërsa dështimi për zgjedhjen e kryetarit nga komuniteti serb ka përkeqësuar edhe më shumë krizën politike.
“Kosova është ende pa qeveri edhe pa kuvend fatkeqësisht, dhe derisa ka dështu zgjedhja nga komuniteti serb vazhdon të mbahet kjo situatë peng”.
Kërkohet konstituimi i kuvendit dhe roli i Kushtetueses Haziri thekson se konstituimi i kuvendit ndodh vetëm pasi të zgjidhet kryesia dhe se tashmë është momenti që procesi të procedohet më tej.
Ai sugjeron se Gjykata Kushtetuese mund të ketë një rol vendimtar në tejkalimin e kësaj situate.
“Konstituimi i kuvendit quhet kur të zgjedhet kryesia e kuvendit dhe tanimë krejt kjo situatë duhet të procedohet, sepse nuk i takon askujtë tjetër, pos ajo që quhet e drejt e fitume të zbatohet dhe këtë ngërç të ri në konstituimin mund ta zbardh me një vendim tjetër Gjykata Kushtetuese”.
Sipas tij, dështimi i liderëve politikë për të respektuar frymën kushtetuese dhe për të bashkëpunuar ka bërë që roli i vetëm qëndror të mbetet te kushtetuesja.
“Më lejoni të thëmë që është e keqë që politikanët nuk po arrijnë të gjejnë një mënyrë për me zbatu frymën e Kushtetuesës përmes bashkëpunimit aktiv, por po zbatojnë vendime politike në kundërshtim me këtë frymë dhe në këtë pikë gardian i republikës mbetet në këtë rrafsh vetëm gjykatësit në kuadër të Kushtetuesës”.