Haziri: Jemi gati për të arritur marrëveshje për kreun e LDK-së
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se Kryesia dhe Kryetari Isa Mustafa po vazhdojnë të punojnë dhe përmbyllin të gjitha përgatitjet lidhur me ditën e nesërme ku do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i kësaj partie.
Haziri ka thënë se me kryetarët e degëve të LDK-së kanë finalizuar angazhimin për ndërtimin e një mobilizimi të delegatëve, ku ka theksuar se do të marrin pjesë 355.
Ai ka shtuar se LDK po përafron qëndrimin lidhur me mbështetjen e kandidatit që përfaqëson unitetin e degëve dhe LDK-së, transmeton Indeksonline.

“Kryesia dhe Kryetari Isa Mustafa po vazhdojnë me punu dhe me përmbyllë lidhur me përgatitjet për ditën e nesërme që fillon në ora 10:00. Ne me kryetarët e degëve të LDK-së finalizuam angazhimin për ndërtimin e një mobilizimi të delegatëve, ku nesër do të marrin pjesë 355 delegatë, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Do të ketë kushte pune dhe kushte konkurrim. Gjithashtu, ai ka shtuar se LDK po përafron qëndrimin lidhur me mbështetjen e kandidatit që përfaqëson unitetin e degëve dhe LDK-së. Unë i përmbahen angazhimit tim, ne po i finalizojmë punimet”, ka thënë Haziri.
Ai ka shtuar se LDK-së nesër do të dalë me një qëndrim unik dhe para anëtarësisë e qytetarëve do të marrë përgjegjësinë e dyfishtë duke dëshmuar se si punohet me angazhime të përbashkëta.
“S’ka me pas të bëjë me emër të përveçëm, po përfaqësim të gjerë. Një figurë që paraqet unitetin e partisë”, ka shtuar Haziri.
“LDK nuk ka nevojë për spektakl, ka nevojë për konfirmu procesin zgjedhor, rolin dhe peshën e LDK-së në jetën publike të qytetarëve. Qëndrimi i LDK-së është zgjedhjet. Zgjedhja janë rruga e vetme që siguron legjitimitet. Pa LDK-në nuk ka zgjidhje as zgjedhje. Qeveritë rrëzohen shumë shpejtë pa LDK-së”, ka thënë mes të tjerash Haziri.//Indeksonline/