75 Mall Live Search
01:05 / E Diele, 22 Mars 2020 / indeksADMonline

Haziri jep detaje për dy të rinjtë me koronavirus: Nëse ka edhe një rast, të karantinohet Gjilani

Ka shkuar në 31 numri i personave të infektuar me koronavirus në Kosovë.

Dy nga Gjilani e një nga Malisheva ishin tre personat e fundit të konfirmuar nga IKSHPK.

Lidhur me këtë ka reaguar Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, duke dhënë detaje shtesë lidhur me këta të infektuar.

Haziri tha se njëri nga të infektuarit është nga fshati Zhegër, kurse tjetri me origjinë nga fshati Vrapçiq, por që jeton në Ferizaj dhe sipas të dhënave dyshohet se ka ardhur para disa ditësh nga Gjermania.

“Nga 66 mostrat e marra sot nga Gjilani, fatkeqësisht dy raste rezultuan pozitivë me #Covid19.Dy rastet janë të ndara dhe nuk kanë historik të përbashkët, përderisa po shikohet historiku i kontakteve të tyre.Njëri është nga Zhegra, ndërsa tjetri me origjinë nga Vrapçiqi, por që jeton në Ferizaj dhe sipas të dhënave, ka ardhur para disa ditësh nga Gjermania”, tha Haziri.

Gjithashtu ai shtoi se nga informatat e para, thuhet se e infektuara ka pasur kontakte me familjen në Vrapçiq gjatë vizitës.

 “Po bëhet historiku i kontakteve dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do t’i ketë informatat në detaje.Pas këtyre dy rasteve, apeloj që të vetizoloheni dhe të mos qarkulloni pa nevojë, sikurse edhe t’i zbatoni të gjitha rekomandimet e institucioneve të Republikës, që të kujdesemi për vete, për familjen, për lagjen, për komunën.Në takimin me kryetarët e Anamoravës, jemi dakorduar se në momentin që paraqitet ndonjë rast në këtë pjesë, t’i kërkojmë qeverisë së Kosovës që ta karantinojë komplet Anamoravën sepse jemi në trekëndëshin kufitar me Maqedoninë Veriore dhe Serbinë.Ju lutem, qëndroni në shtëpi dhe për gjithçka do të jeni të njoftuar me kohë.Komiteti për mbrojtje dhe shpëtim për parandalimin e Covid-19 dhe Qendra Operative Emergjente, 24 orë janë duke e menaxhuar situatën. Rrini pa brenga!”, shtoi Haziri.

Siç mëson Indeksonline femra e prekur nga koronavirusi në këtë rast, A.Sh e cila ka ardhur para disa javësh nga Gjermani ku edhe vizitoi familjen në Vrapçiq.

E njëjta nuk jeton në komunën e Gjilanit, por që ka vizituar Klinikën Infektive të Spitalit Regjional.

A.Sh i është bërë apel për vetizolim dhe që të lajmërohet tek organet kompetente për çdo këshillë mjekësore./Indeksonline/