12:56 / E Premte, 24 Maj 2024 / S Z

Haziri: Ka mbi 1 mijë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje, qeveria është e papunë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka thënë se ka mbi 1 mijë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje.

Hazirika thënë se qeveria e Kosovës sot është e papunë.

Sipas Hazirit, qeveria Kurti i ka “dhënë imazh të keq Kosovës në arenën ndërkombëtare sidomos me dështimin e fundit në KiE.”

“Kurti vetëm nëse jeton në botën paralele në Kosovë mund të thotë që nuk ka nevojë për dorëheqje se punët po bëhen mirë, qeveria e Kosovës sot është e papunë. Proceset që i ka iniciuar i kanë dështuar, vendin e ka qu në masa kufizuese dhe kufizime serioze, tashmë ka vetëm vizita ceremoniale, homazhe, përkujtime. Gërvalla shkon takon kongresmenë, grupe të shoqatave shqipëtare, arbëreshë, bëjnë takime rutinë për të blerë kohë. Në cdo sektor të madh në Kosovë ndëshkimet janë krahasimisht momentale. Ka një mijë arsye me shku në zgjedhje, nëse ish pranu Kosova në KiE, dje Kosova kish me dal ndryshe përballë Serbisë në OKB”, ka deklaruar Haziri, në Radio Dukagjini.

Ai thotë se qëndrimi i LDK-së mbetet i njëjtë sa i përket mundësisë për zgjedhje duke thënë se nuk e përkrahin mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit, vetëm nëse ka dorëheqje ose shkarkim të Kurtit.

I pyetur në lidhje se a ka pasur LDK-ja takime me PDK-në e AAK-në për të diskutuar për zgjedhjet, Haziri ka thënë se takime specifikisht që lidhen me këtë çështje nuk ka pasur dhe as nuk do ketë.

“Takime specifikisht që lidhen me këtë cështje nuk ka pasë as nuk ka me pasë. Komunikimi jonë me partitë e opozitës nuk është korrekt derisa ska dialog politik në Kosovë, Kurti është shkaktar i kësaj, i vetmi dialog është parlamenti i Kosovës”, ka vijuar Haziri.