Haziri: Kosova mos të bjerë në hendekun e Serbisë, politikat e gabuara të Kurtit po na izolojnë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka komentuar kërcënimet e Aleksandar Vuçiqit në dy ditët e fundit.
Haziri e ka cilësuar luftë hibride që ka qenë potencial për shkaktim krizash deri në kërcënim me luftë.
Mirëpo sipas tij, dallimi është se asnjëherë Serbia nuk ka gjetur hapësirë në Kosovë që shkakton frikë.
“Se fundja Serbia nuk mund ta kërcënojë Kosovën në këtë rast, por KFOR/NATO. Ata kanë mandat ushtarak në tokë dhe ajër të Kosovës. Ata e dinë këtë e le ta provojnë. Po ashtu, Kosova është e rrethuar me 3 shtete anëtare të NATO-s”, ka shkruar Haziri.
“Në anën tjetër, Serbia e ka humbur luftën edhe prej Kosoves. Ne, me resistencë politike dhe kryengritje ushtarake, e kemi fituar luftën për herë të parë në histori dhe kemi demontuar okupimin jugosllav e serb më 12 qershor 1999. Ata mund ta harrojnë ndihmën e NATO-s për Kosovës, por nuk po pajtohen me fitoren politike, ushtarake e diplomatike të Kosovës. Serbia mund të jetë vend fqinj i Kosovës dhe asgjë më shumë. Nuk mundet as të na kërcënojë se s’ka kush i frikësohet”, ka shtuar ai.
Sipas tij, e mira e Kosovës është mos të bie në hendekun e Serbisë. Kjo Qeveri, e cila me veprimet e saja populliste e për konsum politik, po luan me sentimentin e qytetarëve.
“Politikë shumë e gabuar që po na izolon nga miqtë e fqinjët që janë në NATO edhe nga vetë shteti shqiptar”, ka shkruar Haziri.
“Vuçiq e di që as Aleksandri i parë i Serbisë më 1920, as Aleksandri i dytë më 1956 dhe as ky i treti nuk mund ta mbajnë Serbinë në Kosovë si okupatore. Republika e Kosovës është kompromisi më i madh i shqiptarêve dhe zgjidhja më e mirë për të gjithê ata që jetojnê nê Kosovê. Thjeshtë, do ta ketë fatin e atyre dy të parëve”, ka shkruar ai.
“Vuçiq përfaqëson politikën e kushtëzimeve dhe marrëdhëniet e kushtezuara tash e 35 vite të Serbise, si mjeti i vetëm politik që ka. Ata janë mësuar me marrëdhenie të tilla me sanksione ekonomike, financiare, kufizime e deri në luftëra. Edhe ky kushtëzim s’i kalon, por arsyetimi i tij po gjenë solidaritet fatkeqësisht, per shkak të dështimeve në qeverinë Kurti”.