21:41 / E Enjte, 01 Qershor 2023 / L K

Haziri: Kurti ka izoluar Osmanin e Konjufcën

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri vlerëson se takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiq ka qenë i pritshëm.

Kjo pasi sipas tij, Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca janë të izoluar “në këtë proces nga Kurti”, sa i përket zhvillimeve të fundit.

Haziri thotë se raportet me SHBA-në janë të lënduara shumë.

“E pritur. Sepse presidentja dhe kryetari i Kuvendit janë të izoluar në këtë proces nga Kurti, sikurse kryeministri këto javë është i izoluar nga liderët botëror. Kurti e ka një adresë që të gjithë ja kanë tregu dhe adresën e vetme e ka Borrellin dhe Lajçakun, dhe e ka vetëm një detyrë draft-statutin (Asociacioni). Asnjë gjë më shumë dhe askund më shumë s’mund të lëvizë jashtë deklaratave të mira që ai vazhdon me thanë se kena raporte të mira me SHBA-në…janë të lëndune seriozisht raportet”, deklaroi ai në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Gjatë qëndrimit në Moldavi, presidentja Osmani ka bërë të ditur se është zhvilluar një takim i shkurtër i përbashkët me Vuçiqin, ku ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Siç ka thënë ajo, “edhe një herë u dëshmua se Vuçiqi nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë”.