Haziri: Kurti në koordinim me QUINT-in ta definoj qëndrimin për zgjedhjet serbe të 3 prillit në Kosovë

Qeveria e Kosovës ende nuk ka një qëndrim përfundimtar nëse do të lejoj mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Në anën tjetër, nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se Kryeministri Kurti pati hedhur përgjegjësinë të Kuvendi, përkatësisht të partitë opozitare mos lejimin e mbajtjes së referendumit në territorin e Kosovës.
Tani, sipas tij, është koha që ai në koordinim të plotë me ambasadorët e QUINT-it të zbardhë qëndrimin e tij për lejimin ose moslejimin e zgjedhjeve të 3 prillit në Kosovë.
“Sa i përket zgjedhjeve e kishim një koordinim të kryeministrit që do të koordinoj punën me shtetet e QUINT-it dhe ne po presim që ta zbardh qëndrimin e tij në koordinim me partnerët e Kosovës që janë të përfaqësuar në grupin e QUINT-it”, ka thënë Haziri për Indeksonline.
Më tutje, ai ka thënë se kryeministri duhet të luajë rolin e vet kushtetues dhe në koordinim të plotë me miqtë ndërkombëtarë të definoj qartë apo lejon ose jo mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Ndërsa, zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.