16:11 / E Diele, 04 Mars 2018 / indeksADMonline

Haziri: LDK ka realizuar bërjen e shtetit të Kosovës

Me një manifestim madhështor, Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka shënuar 28–vjetorin e themelimit, në të cilin pos kryetarit të degës dhe nënkryetarit në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë edhe përfaqësues të partisë në nivel lokal dhe atë qendror.

Kreu i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka thënë se Lidhja e Ibrahim Rugovës ka realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve me bërjen e shtetit të Kosovës.

“LDK është parti, e cila ka realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve. Rruga jonë për ta bërë shtetin është realizuar. Por, sa është ky shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik, prapë neve si LDK na mbetet që ta vazhdojmë rrugën dhe ta forcojmë lirinë tonë, ta ruajmë kërcënimin e demokracisë sonë dhe ta shtrijmë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës. Duhet të vazhdojmë t’i kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. LDK duhet të vazhdoj të jetë udhëheqëse dhe bartëse e të gjitha përgjegjësisë dhe bartëse e proceseve. Pa këtë parti nuk është vendosur dhe nuk mund të vendoset për asnjë proces”, ka deklaruar Haziri.

Ai përkujtoi se ky përvjetor i madh i LDK-së në Gjilan shënon luftën  dhe rezistencës politike në kohët më të vështira për Kosovën, në luftën për liri, pavarësi e demokraci.

“Kjo lëvizje politike në atë kohë theu tabutë e ish-Jugosllavisë si shtet dhe të ish-bllokut komunist në Evropën Lindore. LDK është partia e parë politike, e cila guximshëm u themelua nga grupi i intelektualëve të Kosovës dhe elitës kulturore, nga njerëzit e librave dhe të dijes. Periudha gati tre dekadash e LDK-së lidhet ngushtë me veprimtarinë dhe udhëheqjen themeluesit tonë dhe themeluesit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë Haziri.

Kori i shkollës së mesme të muzikës ka shfaqur para të pranishmëve disa pika korale, të përgatitura enkas për 28-vjetorin e LDK-së në Gjilan.