Haziri paralajmëron riorganizim të administratës, rrezikohen zyrtarët komunal
Një numër i zyrtarëve komunal në Gjilan rrezikojnë të humbasin vendet e punës deri në fund të këtij muaji. Kjo si rezultat i reformës administrative që kryetari Lutfi Haziri ka ndërmarrë për këtë komunë.
I pari i Gjilanit, në një intervistë për KosovaPress, thotë se do të jenë gjithmonë në shërbim të qytetarit, duke i mbyllur rrugën korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Haziri thekson se kështu synojnë zgjerimin e koalicionit me më shumë parti dhe me më shumë qytetarë.
Ai tregon për të gjitha punët që do të bëhen deri në fund të këtij muaji në komunën që ai e udhëheq.
“Gjatë qershorit, Gjilani do të riorganizojë administratën lokale, reformon administratën e shkollave, me qëllim depolitizimin dhe do ta riorganizon bordin e drejtorëve. Jam ithtar me zgjeruar koalicionin me më shumë parti, me më shumë qytetarë… Në seancën e ardhshme besoj që Gjilani do të ketë formacion të ri, ku do të ketë të rinj dhe femra më shumë të përfaqësuar në ekzekutiv”, thotë ai.
E në kuadër të riorganizimit të administratës lokale, ai thotë se një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve kanë mundësi të humbin vendin e punës.
“Një numër i zyrtarëve kanë mundësi me e humb vendin e punës. Ata që abuzojnë me kohën, abuzojnë me detyrën dhe gjenden në ndikim të korrupsionit dhe formave korruptive kanë me u largu detyrimisht nga vendi i punës. Po krijojmë mundësi krejt tjera. Ne jemi në shërbim. Këto zyra duhet të shërbejnë”, shprehet Haziri.
Ai tregon se deri më tash ka suspenduar afër 50 persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Plani i integritetit që ne e kemi apo i krijimit të imunitetit antikorrupsion dhe masave që parandalojnë shkeljen e ligjit, abuzimin me ligjin, keqpërdorimin, në Gjilan më ka detyruar që në 45 me e dërguar numrin e të suspenduarave. Nga 45, vetëm 2 kanë fituar deri tash rastin në Gjykatë dhe janë kthyer në vendin e punës e janë kompensuar. Ndërsa të tjerët, shumica janë të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion. Ne kemi deficit në shërbim”, shprehet ai.
Ai flet edhe për përfaqësimin gjinor në komunën e Gjilanit, për çka thotë se ka shtyrë përpara integrimin e grave në pozita udhëheqëse.
Haziri shprehet i kënaqur që lista e projekteve për komunën po zvogëlohet çdo ditë e më shumë, si rezultat i realizimit të premtimeve dhe planeve.
“Jam i kënaqur që lista e projekteve po shkurtohet jashtëzakonisht shumë. Ne kemi vendosur një barazi në mes të fshatit dhe qytetit në investim. Dhe, ndoshta kam mbetur pak në hak, në vonesë, në investimet në qytet. Në qytet duhet me pas investime më shumë, zonat urbane duhet me pas kujdesin më të madh, edhe infrastrukturor, edhe efiçenca e energjisë kërkon fasadimin e objekteve. Janë disa programe që ne mund t’i mbështesim qytetarët për një jetë më të mirë”, thotë ai.
Ai thotë se i kanë të buxhetuara të gjitha projektet, teksa veçon njërin nga ta.
“Ne jemi e vetmja komunë që jemi duke ndërtuar fshatin social. Do të ndërtohen 9 objekte, do të ketë shkolla, do të ndërtohen 9 objekte ku do t ketë shkolla, shkolla profesionale, shtëpi të pleqve, shtëpi të grave të pambrojtura, fëmijëve jetim. Ne do të ndërtojmë një fshat vetëm për atë komunitet, nën përkujdesjen e komunës. Në të ardhmen do të organizohet jeta, edukimi, trajnimi dhe shërimi dhe kujdesi për një kategori, sepse kemi një kategori që ka nevojë për kujdes”, thotë ai.
Krejt në fund, Haziri thotë se kanë si komunë japin edhe shpërblim në vlerë prej 100 euro për çdo lajm dhe fotografi të sakta që lajmërojnë korrupsion, dhe 2 mijë euro për çdo raportim të korrupsionit në pushtet në komunën e Gjilanit