Haziri pas takimit me Lajçakun: Na njoftoi në detaje për dialogun, unë paraqita qëndrimin e LDK-së

Opozita është takuar sot me emisarin BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim, LDK-ja u përfaqësua nga Lutfi Haziri, i cili paraqiti qëndrimin e partisë karshi çështjes së dialogut.
“Besoj shumë që nga takimi i javës së ardhshme do të arrihet që palët të pajtohen për implementimin e marrëveshjes së Ohrit më 18 mars, respektivisht marrëveshjes së Brukselit të 27 marsit, e njohur si marrëveshja Kurti-Vuçiq” tha mes të tjerash Haziri në njoftimin e tij.
Ky është njoftimi i plotë:
Sot në emër të LDK-së dhe kryetarit Abdixhiku takova ndërmjetësin ndërkombëtar për Kosovë, z. Miroslav Lajçak, i cili na njoftoi në detaje lidhur me progresin dhe ngërçin politik që ka dialogu për normalizim të raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Paraqita qëndrimin e LDK-së se dialogu nuk ka opsion dhe që është e vetmja rrugë për zgjidhjen e të gjitha problemeve duke përfshirë njohjen e ndërsjelltë.
Pranimi i planit të pesësesh ndërkombëtare dhe takimi me liderët europianë në Bruksel është një kthesë në dialog dhe një pritje për progres.
24 shtatori ka krijuar një ambient të ri politik dhe një ngarkesë të pritur edhe në këtë proces të dialogut.
Besoj shumë që nga takimi i javës së ardhshme do të arrihet që palët të pajtohen për implementimin e marrëveshjes së Ohrit më 18 mars, respektivisht marrëveshjes së Brukselit të 27 marsit, e njohur si marrëveshja Kurti-Vuçiq.