75 Mall Live Search
08:51 / E Martë, 21 Tetor 2025 / A

Haziri për koalicionin e Tahirit me VV-në në Vushtrri: Kurti po i targeton dhe po i maksimalizon situatat e tilla

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur pas zhvillimeve të fundit politike në komunën e Vushtrri, ku është krijuar një koalicion mes VV-së dhe LDK-së në nivel lokal.

Haziri ka thënë se kryeministri Albin Kurti po synon të shfrytëzojë situata të tilla për përfitime politike.

“Kurti po ‘targeton’ dhe po i maksimalizon situatat e tilla. Ne e kemi cilësuar si rast të izoluar jo në koordinim me ne jo në bashkëpunim me ne dhe jo me pëlqimin e Abdixhikut.” ka deklaruar Haziri në kanal 10.

Ai ka theksuar se LDK mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit politik dhe bashkëpunimit institucional në nivel lokal, duke nënvizuar se “politikat manipuluese nuk i shërbejnë qytetarëve, por vetëm interesave të ngushta partiake.”

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, LDK përmes një komunikate tha se Tahiri s’është autorizuar për këtë koalicion.

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë. Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u tha në reagimin e LDK’së.

Ndërkaq, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një reagim ka thënë se kundërshtarë që “fërkojnë duart e aktivizohen” edhe për ngjarjet më periferike në LDK. Ai ka paralajmëruar se do të ketë “rend” për punët brenda LDK’së, por se me kohë do të bëhet gjithçka.

“Jemi të vetëdijshëm që kemi kundërshtarë. Që fërkojnë duart e aktivizohen me helm edhe për ngjarjet më periferike tonat. Për suksese natyrisht se nuk kanë asnjë fjalë. Por LDK nuk bjen në detin e madh të parëndësisë së tyre; prandaj kërkojmë mirëkuptim nga mbështetësit tanë se pse nuk reagojmë për çdo helm që kanë. Për punët brenda shtëpisë sonë, do të ketë rend. Me kohë gjithçka”, ka shkruar ai.