75 Mall Live Search
20:48 / E Enjte, 08 Maj 2025 / H F

Haziri: Të vlerësohet çdo iniciativë për qeveri tranzicioni, presidentja duhet ta ushtrojë rolin kushtetues

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të marrë pjesë në një takim të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, nëse në të diskutohet propozimi i LDK-së për një qeveri të tranzicionit politik.

“Po, parimisht do të marrim pjesë nëse diskutohet propozimi i LDK-së. Pse jo, edhe nëse ka mundësi presidentja të ushtrojë rolin e saj kushtetues për të ndikuar në funksionimin e institucioneve. Në konstituim, roli i saj është më sekondar, por në funksionim ka një rol më të definuar kushtetues. Me vetë faktin që po flasim për konstituim, është veç në vullnetin e saj me i thirrë partitë politike sipas propozimit eventual që z. Lumir Abdixhiku, në emër të LDK-së, e ka dhënë”, tha Haziri për IndeksOnline.

Ai shtoi se çdo iniciativë që ka vullnet të mirë për të bashkuar partitë politike rreth një zgjidhjeje për krizën, duhet të vlerësohet seriozisht

Deklarata e Hazirit vjen në kohën kur Kosova tash e tre muaj ndodhet pa Kuvend e Qeveri funksionale. Për të 13-tën herë radhazi ka dështuar votimi për kryetarin e Kuvendit, duke thelluar ngërçin politik mes pozitës dhe opozitës.

Përballë kësaj, presidentja Osmani, ka shprehur gatishmërinë për të ftuar në një takim të përbashkët liderët e partive politike, me synimin për të gjetur një zgjidhje dhe për të rikthyer funksionalitetin institucional./IndeksOnline/