20:44 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Haziri thotë se protestat kanë degraduar, tregon se për çka është e fokusuar LDK-ja

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka arsyetuar vendimin e partisë së tij për të mos iu bashkuar protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Hazirit, LDK kishte ndjekur rrugën e protestave para luftës së fundit në Kosovë dhe tani sipas tij nuk kanë parë momentum për të dalë në rrugë.

“Ajo që kemi parë viteve të fundit, degjenerimi i protestave, në dhunë dhe në atak personal dhe institucional natyrisht që LDK-në e bën me ju kthy besimit të vet edhe mjeteve të veta politike që të punojë brenda institucioneve më shumë  sepse protestat tek ne as nuk bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi e as që përfundojnë mirë dhe sidomos kohëve të fundit kanë përfunduar jashtëzakonisht keq”, tha Haziri.

I ftuar në debatin e emisionit ‘Jeta në Kosovë’, Haziri tha se janë të shqetësuar për një eskalim të mundshëm të protestës të së shtunës, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e organizimit të vetë LDK-së në një protestë.

“ LDK-ja pas luftës është fokusuar në ndërtimin e institucioneve dhe shtetësisë dhe roli i saj është përqëndruar në institucione e jo në rrugë, shprehjen e pakënaqësive apo organizim të protestave. Nëse e kemi parasysh rezistencën aktive që ne e kemi pasë në politikë si mjet kryesor protestën, dalje në rrugë, ngujimi e masiviteti që na ka përcjellë. Praktikisht vokacioni jonë prej rezistencës e cila ka qenë protestë në rrugë, pas luftës ka kaluar në përqëndrim në institucione por nuk është përjashtuar asnjëherë si mundësi e shprehjes të pakënaqësive politike”, tha ai.

Analisti Haki Abazi, megjithatë pati kritika ndaj LDK-së për mospjesëmarrje në këtë protestë.

“Struktura të vjetra të LDK-së, çofshin ato aktive  apo të idhnume me mos-aktivizimin e plotë të LDK-së në politikën kosovare janë për me e ndalu Thaçin. Kauza e shtetit është shumë më e dhimbshme sesa çka mundet me paramendu se mundet ta ndjellë një protestë, jo një demonstratë”, tha Abazi.

Për këtë temë diskutojnë Lutfi Haziri nga Lidhja Demorkatike e Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, Bilall Sherifi nga NISMA Socialdemokrate dhe Haki Abazi , analist.