75 Mall Live Search
10:43 / E Enjte, 19 Gusht 2021 / OSH

Haziri: Veprimet e shtetit të jenë më të ashpra, për të mbrojtur qytetarin pas shifrave alarmante me COVID

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se janë 936 raste aktive në Gjilan, ku sipas tij, janë gjendje alarmi për të gjitha institucionet jo vetëm për nivelin lokal, pasi sipas tij është numri më i madh që nga fillimi i pandemisë në Gjilan dhe shifrat paralajmërojnë që duhet të ketë një vendosmëri institucionale karshi Covid-19.

“Në Gjilan po shënojmë një rekord të zi dhe Komiteti i Emergjencave, është vazhdimisht duke punuar 7 ditë në javë, në monitorimin e gjendjes, zbatimin e detyrave për parandalim, e deri te shërbimet shëndetësore që u jepen qytetarëve të infektuar në shtëpi nga ekipet mjekësore”, ka thënë Haziri.

Veprimet e shtetit, Haziri thotë se duhet të jenë më të ashpra, por me arsyeshmëri maksimale për ta mbrojtur qytetarin përmes masave dhe respektimit të tyre.

Ai ka potencuar se mësimdhënësit, shërbimet hoteliere, mjekët dhe qytetarët në përgjithësi duhet të vaksinohen.

“Unë kam reaguar dhe kjo tashmë është e ditur se më 1 shtator asnjë mësimdhënës nuk mund të shkoj në shkollë e të dalë para nxënësve, nëse nuk e ka konfirmimin e vaksinimit, ose testin ditor për Covid-19. Duhet të mundësohet nga ana e qeverisë që me ekipe shtesë, me punësime të përkohshme të rriten kapacitetet dhe vaksinimi të bëhet 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë për imunizim të përgjithshëm më të shpejtë. Nuk jemi në gjendjen që të lejojmë komoditet”, ka potencuar kryetari Haziri.

Sipas Hazirit masat e fundit të marra nga qeveria janë masa selektive dhe jo në bazë të vlerësimit të drejtë, sepse sipas tij është dashur që me masa të ashpra, të niset që nga administrata e shtetit, jo vetëm nga sektori privat.