75 Mall Live Search
18:45 / E Mërkurë, 16 Janar 2019 / indeksADMonline

Haziri: Zgjedhjet vështirë të ndodhin tani, për shkak të bashkëngjitjes së PSD-së në dialog

Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon një marrëveshje politike, për rikonfigurimin e tërësishëm të qeverisë dhe të strukturës së dialogut me Serbinë, kanë deklaruar zyrtarët e kësaj partie, e cila është subjekti më i madh opozitarë në Kuvendin e Kosovës.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se ky subjekt politik nuk do t’ia falë askujt legjitimitetin politik, të cilin e ka në Kuvendin e Kosovës dhe që e bartë me qëndrimin e saj opozitar.

Sipas tij, përderisa , zgjedhjet e parakohshme, të cilat siç ka thënë ai, janë parapëlqyer nga LDK-ja, është vështirë të ndodhin në fazën e tanishme, për shkak të bashkëngjitjes së Partisë Socialdemokrate në procesin e dialogut, atëherë nevojitet një marrëveshje politike.

“Rikonfigurim total i strukturës së Qeverisë dhe i strukturës së dialogut, përmes një marrëveshjeje politike, e cila, natyrisht, po ashtu e rrëzon Qeverinë dhe e largon nga detyra. Gjithçka po flitet për një qeverisje politike, gjithëpërfshirëse, ku marrin pjesë të gjitha partitë politike dhe ku përballohet bashkërisht procesi i dialogut dhe negociatat e rënda me Serbinë dhe eventualisht një marrëveshje përfundimtare që mund të arrihet, të ratifikohet dhe 30 ditë pas kësaj, Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme përsëri”, tha Haziri.

Nevojën për një “rikonfigurim total të qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit”, fillimisht e ka theksuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për medie, ditën e hënë. Ai e ka potencuar këtë nevojë, në mënyrë që të sigurohet shumica e domosdoshme ose e përfaqësimit të domosdoshëm, i cili do të mundësonte më pastaj ratifikimin e marrëveshjeve eventuale në dialogun e Brukselit, por edhe “rolin që i takon secilit subjekt politik mbi bazën e fuqisë politike”.