75 Mall Live Search
19:45 / E Hënë, 18 Mars 2024 / LB

Hazrollaj pasi zgjodhi Kosovën: Ftesa është privilegj dhe përgjegjësi

Sulmuesi i Malishevës Drilon Hazrollaj thotë se ndihet i privilegjuar që ka marrë ftesë nga kombëtarja e Kosovës.

Hazrollaj vendosi të përfaqësojë fanellën dardane pavarësisht që kishte mundësi të luante për fqinjun, Shqipërinë, më saktësisht te skuadra e Alban Bushit në kualifikime për “Euro 2024 U21”.

“Diamanti” i Malishevës zhvilloi stërvitjen e parë me Kosovën nën urdhrat e Fodas ku deklaroi se do të jep gjithçka në fushë dhe që grupi e ka pritur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ftesa e Kombëtares së Kosovës është privilegj dhe përgjegjësi. Shpresoj ta ndihmoj Kosovën pasi po kaloj në formë shumë të mirë me klubin tim. Grupi me ka pritur shumë mirë dhe më është dukur sikur të jem me vite pjesë e Kombëtares së Kosovës”, tha ndër të tjera ai pas stërvitjes për faqen zyrtare të FFK-së.

Hazrollaj po kalon një super sezon te Malisheva, duke qenë golashënuesi më i mirë në Superligën e Kosovës andaj edhe mori ftesë.

Ai pritet të debutojë në miqësoret ndaj Armenisë dhe Hungarisë, kurse në verë raportohet për një kalim të mundshëm në kampionatin gjerman Bundesliga.