“Heimerer” në Samitin Botëror të Shëndetësisë në Berlin prezanton inovacionet në shëndetësi

Konceptet inovative dhe zhvillimore në fushën e shëndetësisë, të zhvilluara nga Ekosistemi Heimerer në Prishtinë, u prezantuan me krenari në Forumin e Shëndetësisë për Evropën Juglindore – ngjarje kjo e organizuar në kuadër të Samitit Botëror të Shëndetësisë, që po mbahet në Berlin.
Kolegji Heimerer, si anëtari më i ri i Komisionit Lindor për Ekonomi në Gjermani, u përfaqësua në këtë forum nga kryetari i Bordit Prof. Dr. Petrit Beqiri dhe këshilltari Karsten Klapp. Në panelin e diskutimit, ata prezantuan qasjen inovative të Heimerer-it në zhvillimin e arsimit dhe praktikës profesionale në shëndetësi – një model i avancuar që tashmë po tërheq vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar.

Ky model bazohet në ekosistemin e integruar të Heimerer-it, i cili përfshin tërë zinxhirin e zhvillimit profesional – nga arsimi i mesëm, në studimet bachelor e master – dhe mundëson koordinim të plotë ndërmjet arsimit, praktikës, hulumtimit, inovacionit dhe punësimit. Brenda këtij ekosistemi, njësitë e ndryshme mbështesin njëra-tjetrën, duke krijuar një rrugëtim të qëndrueshëm dhe të plotë për formimin dhe zhvillimin e profesionistëve shëndetësorë.

Kjo qasje u vlerësua si një shembull unik i bashkërendimit ndërmjet arsimit, sektorit profesional dhe tregut të punës, që jo vetëm fuqizon sistemin vendor të shëndetësisë, por edhe hap rrugën për punësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, veçanërisht me institucionet shëndetësore në Gjermani dhe vende të tjera të botës.
Pjesëmarrja e Heimerer-it në Samitin Botëror të Shëndetësisë në Berlin konfirmon pozitën e tij si një nga institucionet më vizionare në rajon, të përkushtuara në arsim cilësor, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm në shëndetësi.