11:36 / E Premte, 26 Maj 2023 / mp

Hekuran Murati e “lëshon dorën”, kryen pagesa në vlerë 1,3 milionë euro për përfitues të cilët gëzojnë më shumë se një pension

Nga krahasimi i të dhënave Ministria e Financave Punës dhe Trasfereve (MFT) dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë vitit 2022 janë realizuar gjithsej 237 pagesa, në vlerë totale 46,203 euro për pensione pas vdekjes së përfituesve.

Po ashtu ministria e udhëhequr nga kontabilisti i “pagabuar” Hekuran Murati, janë gjetur parregullsi edhe në pagesën e skemave pensionale ku janë identifikuar përfitues të më shumë se një pensioni.

“Nga krahasimi i të dhënave të MFPT-së për skemat pensionale dhe ndihmat sociale me të dhënat e ATK-së, kemi vërejtur se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale. Vlera e gabimit financiar për vitin 2022 ishte 275,302 euro. Krahasuar me vitin e kaluar vlera e gabimit ka rënie për 130,011 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe sociale ZKA-ja ka identifikuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë 1,375,434 euro për përfitues të cilët gëzojnë më shumë se një pension.

“Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, janë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, të cilat pagesa Ministria i kishte kryer edhe vitin e kaluar bazuar në vendimin e ish Kryeministrit nr. 12/82 të datës 28.12.2018. Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK dhe ish-pjesëtarët e TMK-së deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale. Në një krahasim me tri vitet e fundit, vërehet një rritje e lehtë e shumës së këtyre pagesave vit pas viti”, thuhet në Raport.

Ministria e Financave kishte lënë avanse të pambyllura nga vitet paraprake.

 “Për udhëtime zyrtare, neni 8, avanset për udhëtime zyrtare duhet të mbyllen dhe shumat e pashpenzuara duhet të kthehen në llogarinë bankare brenda 15 ditësh pas kthimit nga udhëtimi zyrtar. Avanset e pambyllura deri në fund të vitit 2022 në MFPT ishin 63,167 euro. Ato kanë të bëjnë me avanse të bartura nga vitet paraprake të ish MPMS-së, të cilat kryesisht ishin mjete të tërhequra nga kredit kartelat nga stafi politik, të cilat nuk ishin arsyetuar dhe kthyer nga zyrtarët përkatës.

Kjo kishte ndodhur për shkak të mos përgjegjësisë së personelit që i ka marrë këto mjete duke mos ofruar dëshmi për arsyetimin e tyre apo kthimin e tyre, edhe pse ministria i ka njoftuar për obligimet e pambyllura të tyre.

Ndikimi Mos arsyetimi dhe mos kthimi i mjeteve nga zyrtarët që i kanë shpenzuar, kanë dëmtuar buxhetin e ministrisë, dhe kanë ndikuar në mos barazimin e llogarive së avanseve për vite me radhë”, thuhet në raport.

Vërejtje tjetër të ZAK-së janë identifikuar edhe mbajtja e pozitave të rregullta udhëheqëse me zëvendësues përtej afatit ligjor për Zyrtarët Publikë.

“Në MFPT, 13 pozita të rregullta udhëheqëse mbaheshin me zëvendësues të cilët kishin tejkaluar afatin ligjor prej nëntë deri në 17 muaj. Arsye e mos shpalljes së konkurseve ishte për shkak të procesit të funksionimit të strukturës dhe stafit të MFPT-së, i cili proces ishte ende në fazën e pritjes për miratimin e draft rregullores së re për organizim të brendshëm.

Ndikimi Mbajtja e pozitave udhëheqëse me zëvendësues përtej afatit ligjor, mund të ndikojë në performancën e Ministrisë, duke qenë se stafi zëvendësues mund të mos i plotësojë kriteret e nevojshme për të ushtruar një pozitë të tillë”, thuhet në raport./IndeksOnline/