75 Mall Live Search
14:31 / E Martë, 25 Shkurt 2025 / k.v

Hekuran Murati: Mbi 23 mijë lëndë përmbarimore kundër komunave, dëmi buxhetor mbi 100 milionë euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se deri tani janë dorëzuar 23,118 lëndë përmbarimore kundër komunave në Thesarin e Shtetit, për shkak të kontratës kolektive të nënshkruar në mënyrë të paligjshme. 

Sipas Muratit, shuma e kërkuar për përmbarim ka arritur në 35.8 milionë euro, ku 25.6 milionë euro janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa 10.2 milionë euro janë tarifat për përmbaruesit. 

“Asociacioni i Komunave ka bërë të ditur se dëmi buxhetor tashmë ka tejkaluar shumën prej 100 milionë eurosh. Megjithatë, deri tani nuk kemi dëgjuar për ndonjë rast të hapur nga prokuroria ndaj atyre që kanë nënshkruar paligjshëm dhe kanë shkaktuar këtë dëm”, ka deklaruar Murati. 

Ai ka ngritur shqetësime edhe për abuzimet me tarifat e përmbaruesve, duke theksuar se në shumë raste, tarifa e përmbarimit tejkalon edhe vetë vlerën e borxhit të përmbaruar. 

Kjo çështje pritet të hapë debat të gjerë për përgjegjësinë institucionale dhe veprimet e mundshme të organeve të drejtësisë../IndeksOnline/