75 Mall Live Search
15:32 / E Enjte, 18 Dhjetor 2025 / Z S

Heqja e 50% të masave të BE-së ndaj Kosovës vlerësohet si hap i rëndësishëm

Heqja e 50 për qind të masave ndaj Kosovës, të vendosura nga Bashkimi Evropian, po shihet si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe institucioneve evropiane.

Njohës të fushë së politikës në vend, po vlerësojnë se është dashur të largohen të gjitha masat dhe se drejtuesit e institucioneve  nuk duhet të përsërisin gabimet, pasi këto masa e kanë dëmtuar shumë vendin.  

Rikthimi i mbështetjes financiare dhe politike i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe  hapja e rrugës për avancimin e proceseve integruese të Kosovës, pritet të vijnë pas heqjes së masave nga BE. Pozitive për Kosovën, heqjen e masave po e vlerësojnë edhe njohës të politikës në vend. Artan Muhaxhiri i tha Radio Kosovës se kjo ka ardhur si rezultat i shtensionimit në veri të vendit. Ai tutje tha se liderët e vendit nuk duhet të përsëritin gabimet që kanë sjellë këto masa, dhe se heqja e tyre do të ndikojë në aspektin ekonomik.

“Masat janë një leksion për të gjithë liderët politikë në Kosovë, se si duhet të veprohet në raport me Bashkimin Evropian. Nuk mund të sillen në mënyrë të papërgjegjshme por vetëm me anë të një bashkëpunimi dhe respektim të marrëveshjeve. Ky do të jetë një infuzion shumë i madh ekonomik për vendin”, tha Artan Muhaxhiri.

Edhe, njohësi tjetër i çështjeve politike në vend, Blerim Burjani, i tha Radio Kosovës së heqja e masave është tejet e rëndësishme për vendin.

“Këto masa janë vendosur për shkak të gjendjes në veri, dhe për shkak të mosfunksionimit të dialogut ashtu si duhet, marrja e masave të njëanshme nga Qeveria  e Kosovës dhe implementimi i marrëveshjeve të Brukselit në mënyrë të njëanshme pa koordinim dhe bashkëpunim me ndërkombëtarët. Heqja e masave është pozitive për Kosovën dhe se masat është dashur të largohen shumë më herët. Masat është dashur të largohen të gjitha, pasi këto janë vendosur në mënyrë të padrejtë, e jo të bëhet politike me masat e të kushtëzohet Kosova me këto masa”, tha Burjani.

BE-ja i vendosi këto masa si reagim ndaj rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të prillit 2023, të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb. Situata u përkeqësua në fund të majit, kur kryetarët e rinj të komunave veriore u futën në objektet komunale me asistimin e Policisë së Kosovës, çka u pa nga BE-ja si veprim që kontribuoi në përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikimin e stabilitetit.