“Hero” i serbëve në Veri, Nenad Gjuriq mban fjalim përpara protestuesve

Shkarkimi i tij bëri që të tërhiqen nga detyra edhe policët e tjerë serbë në Veri, ndërsa kur hypi në podium u duartrokit nga protestuesit.
Nenad Gjuriq, ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, tha se ndjehet i nderuar që qendron ballëlart përballë serbëve të Veriut.
“Të afërmit e mi të lavdishëm dhe të vuajtur, qëndrimi sot përballë jush është jo vetëm një nder i madh, por një privilegj që reflektohet në veprat e të parëve tanë dhe në sytë e fëmijëve tanë.
U zgjuam nga ëndrra jonë. Nuk kemi tokë tjetër dhe nuk kemi ku ta kultivojmë për një rrogë një grusht oriz apo një grusht tërshërë. Kolegët e mi kanë mbajtur një barrë të madhe.
Për të gjithë ata që lëkunden – Të gjithë lindin për të vdekur një nga një, nderi dhe turpi rrojnë përgjithmonë”, deklaroi Gjuriq përballë masës protestuese.
Ish-drejtori i DRP-së, u shkarkua pasi nuk po implementonte vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, lidhur me targat.
Pas shkarkimit të tij, Gjuriq kishte dalë në konferencë për media së bashku me Listë Serbe, ku edhe ishte lajmëruar organizimi i protestës që u mbajt sot.
Gjuriq, nga serbët dhe nga presidenti Vuçiq, u konsiderua si “hero” dhe serb me dinjitet.
Protesta e organizuar për shkarkimin e tij u bë me brohorimat “Kosova është Serbi”, “Ne kemi një shtet – Serbinë”, etj.
Në të njëjtën kohë, serbët kërkuan edhe tërheqjen e vendimit për targa, krijimin e Asociacionit të Komunave, si dhe emërimin e një komandanti serb për Veri./Indeksonline/