14:37 / E Enjte, 05 Mars 2020 / indeksADMonline

Heronjtë nuk vdesin, Adem e Hamëz Jashari edhe në liri

Asgjë dhe askush më shumë se familja Jashari s’do të mund të jepte për lirinë e Kosovës.

20 jetë u shuan, 20 trupa u masakruan mizorisht nga agresori serb. Rezistenca e kësaj familje, dëshmon më së miri se ata ishin betuar që s’do t’i nënshtroheshin asnjëherë armikut.

Kulla e kësaj familje, u bë kala pathyeshme e qëndresës, ndërsa para varreve të këtyre dëshmorëve në Prekazin e lavdisë e krenarisë, përkulet çdo shqiptar, shkruan Indeksonline.

Ndonëse emrat e anëtarëve të familjes Jashari u shkruan me ngjyrën e pashlyeshme faqeve të historisë, ata me krenari janë trashëguar edhe nga pasardhësit e tyre.

Familja Jashari tashmë është rritur siç ka qenë, lulet e lirisë janë rritur në vendin e larë më gjak.

Ata e dinë historinë e gjyshërve e gjysheve të tyre, ata e dinë se duhet ruajtur e mbrojtur me xhelozi e krenari emrat që kanë.

Të tillë janë edhe tre nga fëmijët e kësaj familjeje, Shaban, Hamëz e Adem Jashari.

Shaban Jashari i Riu, i cili është djali i Murat Jasharit, ka trashëguar emrin e stërgjyshit të tij.

Ndërsa Adem Jashari i Riu është djali i Lulëzim Jasharit, djalit të heroit legjendar Adem Jashari.

Sakaq Bekim Jashari emrin e babait të tij, Hamzës ia ka vendosur djalit të tij të madh.

Por, edhe fëmijët e tjerë që lindën pas luftës, i përtërinë emrat e të vrarëve, duke bërë që edhe një herë të rilind familja Jashari.

Ndërsa, vendi ynë në nder të sakrificës dhe aktit më sublim të tyre, dhurimin e jetëve, ka nisur sot Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila do të përmbyllet të shtunën me Natën e Zjarreve.

Flakadanët e lirisë u ndezën në Prekaz dhe aty do të mbesin përherë./Indeksonline

Adem Jashari i Riu
Shaban Jashari i Riu
Anëtarë të familjes Jashari sot në Kuvend

Fëmijët e masakruar të familjes Jashari