Hetime në Gjakovë/ IPK-ja dyshon për përfshirje të zyrtarëve policorë në vepra penale

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake, ka realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit kontrolle në dy lokacione të ndryshme në rajonin e Gjakovës.
Kontrollet janë zhvilluar në kuadër të një hetimi penal që po zhvillohet ndaj disa zyrtarëve policorë, për të cilët dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë operacionit, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar prova materiale që mund të kenë rëndësi të veçantë për rrjedhën e hetimeve. Deri tani, katër zyrtarë policorë janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, nën praninë e avokatëve mbrojtës.
Hetimet janë ende në zhvillim e sipër dhe sipas njoftimit të IPK-së, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Gjakovë do të ndërmerren edhe veprime të tjera procedurale, në përputhje me mandatin ligjor dhe autorizimet përkatëse./IndeksOnline/