75 Mall Live Search
14:17 / E Martë, 20 Janar 2026 / H F

Hetimet ndaj Arianit Sllamnikut për shërbime mjekësore të dyshimta, policia kërkon bashkëpunim

Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë së hetimeve rajonale dhe me autorizim të prokurorisë së shtetit, ka nisur hetime fillestare lidhur me veprime të dyshuara të kundërligjshme në fushën e shëndetësisë, transmeton IndeksOnline.

Hetimet kanë të bëjnë me veprat penale: “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së. Qëllimi është verifikimi i rrethanave të dyshuara, lidhur me trajtimin shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.

Në këtë kontekst, policia e Gjilanit fton të gjithë qytetarët që kanë marrë shërbime shëndetësore ose konsultime nga personi i përmendur dhe që mendojnë se mund të jenë dëmtuar, qoftë materialisht ose shëndetësisht, të paraqiten në ambientet e Njësisë së hetimeve rajonale në Gjilan për intervistim. Qytetarët e bashkëpunueshëm do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Policia siguron që çdo informacion i dhënë do të trajtohet konfidencialisht dhe do të kontribuojë në procesin hetimor në përputhje me ligjin.