75 Mall Live Search
20:27 / E Diele, 24 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Hetimet për vdekjen e Florenc Beqirajt marrin kthesë të fortë! Ministria Franceze mohon se…

Prej disa ditësh tashmë gjëndja e mjeruar në të cilën qëndronte Florenc Beqiraj në njërin nga spitalet e Francës tërhoqi vëmendjen dhe zemrat e shumë shqiptarëve, derisa më datë 21 dhjetor, u dha lajmi se i riu humbi jetën pasi autoritetet spitalore i hoqën aparaturat që mbanin ende të gjallë zemrën e shqiptarit.

Kjo ishte dhe ajo çka pretendonin familjarët e Florencit.

Por këtë të dielë, Ministri e Jashtme shqiptare ka shpërndarë një njoftim për shtyp ku dhe lajmëron se ka qenë në dijeni të ngjarjes së Florencit si dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shtetërore në Francë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, vetë Ministria e Brendshme Franceze ka njoftuar se Florenc Beqiraj është gjetur pa ndjenja më 14 dhjetor në dhomën e Qendrës së Ndalimit në Marsejë. Në këtë pikë nuk përmenden aspak shenjat e dukshme që Florenci ka patur në qafë dhe në trup.

Por ajo që të tërheq menjëherë vëmendjen është fakti se sipas Ministrisë së Brendshme, të cilës i referohet Ministria jonë e Jashtme, Florenc Beqiraj nuk ka vdekur për shkak të heqjes së aparaturave.

Sipas autoriteteve franceze, “në datën 21 dhjetor*, ora 18.30, u konstatua vdekja e z. Florenc Beqiraj”.

*Në njoftimin e Ministrisë shkruhet data 21 (e enjte) por në fakt vdekja e Florencit është njoftuar dhe bërë e ditur në media të premten, më datë 22 dhjetor.

Pra lihet të kuptohet se Florenci është gjetur i vdekur dhe jo se i janë hequr aparaturat siç dhe është raportuar deri më sot dhe ashtu siç edhe pretendojnë vetë familjarët e Florencit.

Nga ana tjetër Ministria e Jashtme në njoftim lajmëron se çështja në fjalë po hetohet si dhe se trupi i të ndjerit do të transportohet në Shqipëri nga autoritetet shqiptare.

Njoftimi i Plotë i Ministrisë së Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë informon opinionin publik se Ministria e Brendshme e Francës ka njoftuar Ambasadën e Shqipërisë në Paris, përmes një komunikimi zyrtar, mbi vdekjen e shtetasit shqiptar Florenc Beqiraj në qëndrën spitalore Marseille-Nord

Në këtë komunikim sqarohet se, më 14 dhjetor 2017, rreth orës 17.30, shtetasi Florenc Beqiraj u gjet i pandërgjegjshëm në dhomën e tij në Qendrën e Ndalimit Administrative në Marsejë, pasi ishte shoqëruar më parë atje pas vendimit administrativ të Prefekturës për largim nga territori francez.

Zotit Florenc Beqiraj iu dha menjëherë përkujdesja e urgjencës dhe ai u transportua në qendrën spitalore të Marseille- Nord. Prokuroria e Marsejës u njoftua të njëjtën ditë për ngjarjen dhe një hetim mbi ngjarjen ka nisur menjëherë. Pas disa ditësh në koma të thellë, në datën 21 dhjetor, ora 18.30, u konstatua vdekja e z. Florenc Beqiraj. Trupi i tij u transportua në pavionim e mjekësisë ligjore të Marsejës më 23 dhjetor, konform udhëzimeve të Prokurorisë e cila kërkoi të kryhej autopsia. Autopsia do të kryhet në ditët e ardhshme, ndërkohë që hetimi vazhdon.

Ministria e Brendshme Franceze nënvizon se do të vazhdojë të informojë Ambasadën e Republikës së Shqipërisë për të gjitha informacionet e nevojshme që do të përcillen nga Prokuroria e Marsejës mbi vazhdimin e hetimit që po kryhet. Ndërkohë që Ambasada po kujdeset për kryerjen e të gjitha procedurave për kthimin e trupit të të ndjerit në Shqipëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Florencit dhe dëshiron të sigurojë opinionin publik se mbrojtja e interesave të Shqiperisë dhe qytetarëve të saj jashtë Shqiperisë pëtbën prioritet absolut. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje aktorëve politikë të dëshmojnë urtësi e të mos bien në kurthin e instrumentalizimit politik të kësaj fatkeqësie.