Hetimet: Polici bëri dy qitje. Plumbi në shpatull fatal për jetën e Kloldianit

Vijojnë të zbulohen detaje nga vrasja e Klodian Rashës rreth orës 1.45 minuta të 8 dhjetorit, pak metra larg banesës së tij në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë.
Tashmë është arrestuar efektivi i policisë që ka qëlluar drejt 25 vjeçarit dhe pritet të dalë për masë sigurie.
Nga ekspertiza paraprake dhe kërkesa për masë sigurie që është depozituar në gjykatë, rezolton se Klodian Rasha s’ka asnjë plumb në kokë.
Arma e policit ka bërë dy qitje. Një plumb e ka kapur Rashën në pjesën e shpatullës nga pas.
Nga kqyrja e të ndjerit sipas ekspertizës paraprake, rezulton se plumbi i ka prekur organet jetike, duke i marrë edhe jeten. Ndërsa predha tjetër e dalë nga arma e punonjësit të policisë nuk e ka prekur 25-vjeçarin.
Mister mbetet arma që është gjetur 100 metra larg vendit të ngjarjes.
Prokuroria vijon të jetë ende në pritje të ekspertizës për gjurmët datiloskopike të armës që është gjetur 100 m larg vendit të ngjarjes nëse ka qenë apo jo në dorën e Rashës.
Në dëshminë që ka dhënë kolegu tjetër i policit të arrestuar ka deklaruar se viktima ka pasur një send të dukshëm si armë që ai e ka nxjerrë nga brezi. Por sipas hetimeve paraprake kur është qëlluar i riu nuk ka qenë i armatosur.
Prokuroria ka dyshime se armën ai e ka hedhur në krahun tjetër të rrugës “Dritan Hoxha”, distancë shumë e largët nga vendi ku Rasha u qëllua nga efektivi i policisë.