11:48 / E Hënë, 14 Qershor 2021 / k.v

Hidhet poshtë aktakuza kundër ministrit Liburn Aliu

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë aktakuzën për korrupsion ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të tjerëve.

Këtë e ka konfirmuar avokati Behar Ejupi, i cili në këtë rast e ka përfaqësuar juridikisht klientin e tij Zejnulla Rexhepi.

Komunikata e plotë nga Gjykata Themelore në Prishtinë:

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, në çështjen penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U.,dhe M.B.-P. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa të akuzuarit A.O., B.U. dhe M.B-P. edhe për veprën penale në bashkëkryerje Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore nga neni 402 par.2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PP.I.nr.105K/2018 të datës 24.07.2020, jashtë seancës së shqyrtimit gjyqësor ka vendosur lidhur me kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe ka aprovuar kërkesat për hedhjet të aktakuzes dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U.,dhe M.B.-P., kundër aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PP.I.nr.105K/2018 e datës 24.07.2020, si i pabazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka hedhur aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PP.I.nr.105K/2018 të datës 24.07.2020, dhe ka pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., dhe M.B.-P., për veprat penale të përshkruara si më lartë.