Higuain largohet nga Milani me një “operacion” të komplikuar
Frosinone dhe më pas Spal për Gattuso dhe për Higuain, më pas lamtumirë. Eksperienca milaniste për Pipita, i prezantuar bujshëm katër muaj më parë si shpëtimtari i kuqezinjve, tashmë duket se është shënjuar si e përfunduar.
Të paktën këtë raporton “Sportmediaset.it” në këto orë të vona, me përjashtim të ndonjë mrekullie Krishtlindjesh. Sipas të njëjtit burim mediatik, Milan dhe Chelsea po perfeksionojnë detajet e një shkëmbimi aspak të lehtë, por gjithsesi gati të paevitueshëm.
Higuain në Londër te Sarri, ndërsa Alvaro Morata në Milano kushedi se te cili trajner, sepse kreu i pankinës kuqezi mbetet një pikëpyetje e madhe.
Dy janë skenarët e realizimit të shkëmbimit: I pari- Higuain te Chelsea në huazim, gjithmonë me miratimin e Juventus, me lirinë e zgjedhjes në qershor, për ta blerë ose jo, ndërsa në anën tjetër, Morata te Milan për 18 muaj, gjithmonë në huazim.
E dyta- shkëmbim huazimesh për gjashtë muaj dhe shkëmbim kartonash në barazi në qershor, me blerjen e Pipitas nga ana e Milan.
Dy rrugë, me një konkluzion të vetëm logjik dhe në këtë moment të pakthyeshëm, argjentinasi shkon te Sarri, ndërsa spanjolli merr fanellën me numrin 9 te kuqezinjtë.