09:27 / E Mërkurë, 29 Mars 2023 / MSH

Hill në Luginë të Preshevës: Shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendë të ShBA-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka folur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, teksa e bëri të qartë se kjo çështje nuk është në agjendën e ShBA-ve.

“Unë nuk besoj dhe e di me siguri që shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E di se kjo ka qenë një temë e shekujve të kaluar, jo vetëm në Evropë, por edhe në vendet e tjera. Por, shkëmbimet e territoreve mund te jenë fatale”, theksoi ai.

Diplomati amerikan nënvizoi se askush në Uashington, në Bruksel dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç pak njerëzve që mund të besojnë se shkëmbimi i territoreve do të bëhej në mënyrë paqësore.

“Ajo për të cilën duhet të brengosemi është se ky rajon i Serbisë [Lugina e Preshevës], dhe rajonet e tjera në Kosovë [pjesa veriore e Kosovës]… ne besojnë që njerëzit mund të lëvizin lirshëm dhe të mos bllokohen vetëm në një vend të caktuar”, shtoi ambasadori Hill.

Diplomati amerikan komentoi edhe nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, duke shpresuar që sa më shumë shtete të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen kësaj nisme e cila erdhi si rezultat i plogështisë së Procesit të Berlinit.

“Nuk kam asnjë dyshim se Ballkani i Hapur është shumë relevant për Preshevën. Unë do të dëshiroja që sa më shumë shtete të Ballkanit t’i bashkohen Ballkanit të Hapur. Jemi dëshmitar të një raporti historik mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke iu falenderuar Ballkanit të Hapur”, theksoi Hill.

Ambasadori Hill gjatë së hënës dhe së martës qëndroi për një vizitë në Luginën e Preshevës, ku takoi përfaqësuesit politik të shqiptarëve në këtë pjesë të Serbisë – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – dhe iu premtoi se do të mundohet t’i adresojë problemet dhe kërkesat e shqiptarëve.