75 Mall Live Search
12:59 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / b l

Hill: Rugova u mbajt kundër dëshirës së tij në Beograd

Diplomati amerikan, Christopher Hill tha se ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij.

Hill gjatë dëshmisë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së tha se e takoi më pas Rugovën, ndërsa tha se gjatë bombardimeve s’kishte kontakt me Hashim Thaçin.

“Rugova, i cili ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd shkoi në Vatikan. Ai u lirua nga Beogradi dhe shkoi në Vatikan pas ftesës se një lloj Ministrie të Punëve të Jashtme të Vatikanit. Drejt përfundimit të fushatës ajrore të bombardimeve, m’u kërkua që ta takoja atë dhe që të kuptoja se cilat ishin synimet e tij dhe nëse po planifikonte që të jepte ndonjë deklaratë publike lidhur me fushatën e bombardimeve. Unë bëra këtë gjë, ai nuk e kishte planifikuar që të jepte deklarata publike dhe u ktheva në Shkup”, tha Hill.

Në fund të detyrës së tij gjatë luftës në Kosovë si i dërguar i posaçëm nga SHBA-ja, Hill tha se komanda e lartë e NATO-s kishte organizuar një mbledhje në Kumanovë për të biseduar me ushtrinë serbe për largimin e tyre nga Kosova dhe në vend të tyre të vendoseshin trupat paqeruajtëse.