20:55 / E Enjte, 29 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Historia e dhimbshme e çiftit kosovar, shkuan në Belgjikë për një fëmijë, mbetën pa asgjë!

Dëshira për të krijuar familje, shtynë çiftin nga fshati Akllap i Lipjanit të shesë gjithçka që kishte para vetës për të kërkuar azil në Belgjikë, kjo me shpresën se atje do gjenin ‘ilaçin’ e kërkuar për vite të tëra.

Kështu disa vite më parë, Naime dhe Enver Gashi migruan jashtë vendit, me shpresën se mantelbardhët atje do u ndihmonin në procesin e krijimit të familjes, kjo pas disa aborteve që zonja Naime kishte në Kosovë.

Sigurisht ëndrra, që të kishte një fëmijë në krahë i rilindi me të mbërritur në Belgjikë.

Naimja tregon se në Belgjikë jetuan për plotë 7 vite, derisa si punë të saj kishte kujdesin ndaj disa fëmijëve. Por, pas disa vitesh qëndrim ata morën përgjigje negative për qëndrim atje. Atyre u erdhi vendimi për tu kthyer në Kosovë.

Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj Enveri vuan nga disa sëmundje. Astma, sëmundja e vëshkëve,  si dhe një aksident i rëndë që pësoi gjatë vitit 2004 në Kosovë, bënë që ai gjatë gjithë këtyre viteve mos t’iu ndahet terapive të ndryshme.

Megjithatë, gjendja emocionale iu rëndua atyre edhe më shumë me tu kthyer në Kosovë.

Po të njëjtit nuk kishin ka t’ia mbanin me të mbërritur në Aeroportin e Prishtinës.

Madje, për Naimen dhe Enverin nuk ofroi askush strehim. Enveri tregon se para se të nisej për në Belgjikë ndau gjithë hisen me vëllëzërit e tij.

Në këtë mënyrë, atij nuk kishte se si t’i ndihmonte askush.

Ndonëse i kishte rënduar edhe më shumë dhimbja që kishin ndër vite, ata tanimë duhej të zgjidhnin çështjen e banimit.

Të paaftë për punë, Naimja dhe Enveri presin nga njerëzit me vullnet të mirë tu ndihmojnë sado pak, kjo pasi që ata nuk ia dalin dot të paguajnë as qeranë mujore të banesës.

Aktualisht, komuna e Lipjani ua ka mundësuar atyre strehimin, por brengë për ta janë ditët në vazhdim pasi që nuk kanë ka t’ia mbajnë.

Kërkesa e tyre e vetme është tu jepet për shfrytëzim ndonjë objekt banimi derisa ata të jenë gjallë! /Indeksonline/

Të gjithë ju që jeni të interesuar për ndihmë, mund të kontaktoni direkt familjen Gashi, 044- 791-673.