Historia e Përparim Thaçit, futbollisti i cili ra dëshmor për Kosovën
Janë disa këngë që teksti i të cilave të fiksohet në kokë prej fëmijërisë dhe nuk i harron më kurrë. Në vitin 1998 Leonora Jakupi këndonte “A vritet pafajsia”. Po të më pyesësh sot, mund t’a këndoj përmendësh pa u menduar fare.
Në atë kohë isha shumë i vogël dhe nënës time i bëja pyetje sa herë videoklipi shfaqej në ekran: “O ma, çfarë është Drenica?”, ose “o ma, kush është Adem Jashari?”. Doja të dija edhe domethënien e fjalës “shkja”.
Natyrshëm, përgjigjet i merrja siç mund t’i jepen një fëmije, ndërsa me vitet mora edhe informacionin e plotë rreth përmbajtjes së këngës. Interpretuesja ja kushtonte të atit, i cili kishte humbur jetën në luftën e Kosovës. Vetë Leonora, në atë periudhë ishte refugjate në Republikën e Shqipërisë.
Lufta e Kosovës zyrtarisht nisi më 28 shkurt 1998 dhe përfundoi më 11 qershor 1999. Gjatë kësaj kohe rreth 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga territoret e tyre. Fatin më të keq e patën diku te 15 mijë njerëz që humbën jetën në luftë, mes të cilëve 2400 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në luftën për liri, dëshmori i parë i Prizrenit ishte futbollist. Quhej Përparim Thaçi dhe përveç aktivitetit sportiv qe student i gjuhës angleze në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” të qytetit.
I lindur më 30 gusht 1976 në Landovicë të Prizrenit, Përparimi rritet në një familje ku edukohet me frymën kombëtare nga i ati Ali dhe nëna Setkije. Pa lënë mënjanë shkollën, ku që i vogël dallohet në mësime, djaloshi nis të kultivojë edhe pasionin për lojën e bukur.
Në foton që shoqëron shkrimin, Përparimi mban veshur fanellën (ose ndërresën siç i thonë shqiptarët e Kosovës) e Lirisë së Prizrenit. Një skuadër që në emër ka idealin për të cilin i riu dha jetën.
Vitet ’90 janë të vështira në Kosovë. Represioni serb (ose asaj çka ka mbetur nga ish-federata jugosllave) bëhet gjithmonë e më shtypës. Jeta publike është e tensionuar dhe të rinjtë nuk lejohen të luajnë futboll. Ngjarjet përshkallëzojnë kur në Prizren arrestohen bashkëmoshatarët e Përparimit, përkrahës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lufta nuk është më teorike. Përparim Thaçi lë ndërresën e Lirisë dhe këpucët me taka dhe i bashkohet forcave të UÇK-së në fshatin Drenaj më 28 prill të vitit 1998. Forcave të armatosura i shërben me dijen e tij në fushën e logjistikës dhe energjinë e moshës së re.
Në majin e të njëjtit vit, më datë 27, pa mbushur akoma 22 vjeç, bëhet pjesë e përjetësisë, kur bashkë me shokët Feim Gashi dhe Sakip Bellaqa bien dëshmorë pas një beteje mes fshatrave Fortesë dhe Xërxë në Komunën e Rahovecit.
Eshtrat e heroit sot pushojnë në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, aty ku edhe lindi. Emrin e Përparim Thaçit e mban stadiumi i qytetit të Prizrenit dhe nipi i tij i vogël, të cilin vëllai Edon e ka quajtur në nderim të studentit, futbollistit dhe birit të Kosovës.
Kur t’ju bjerë rasti të shikoni një ndeshje në stadiumin e Prizrenit, kujtoni edhe historinë e Përparimit, i cili dha jetën që sot brezat e rinj të gëzojnë pavarësinë dhe të luajnë futboll si gjithë moshatarët e tyre në një botë normale, në paqe.
Unë këngën e Leonora Jakupit do e harroj vetëm kur të më lërë kujtesa…
Andi Kasmi/ Pjesa e Tretë