Historia u përsërit, dikur axha i tij, tani Rama, si u bë që dy familjarë të japin lejet për ndërtimin e xhamive

Komuna e Prishtinës dje ka marr vendim për lëshimin e lejes së ndërtimit për kompleksin “Xhamia Qendrore” në kryeqytet.
Nëse punimet shkojnë sipas planit, xhamia do të jetë e gatshme për besimtarët në vitin 2023. Përparim Rama e ka quajtur dhënien e lejes si proces i vënë në binarë. Por, duket se Rama e ka të “trashëguar” misionin për vendime të rëndësishme për objektet fetare. Në vitin 1969 kur axha i tij, drejtonte Kuvendin e Komunës së Podujvës, Ramush Rama kishte dhënë lejen për ndërtimin e xhamisë qëndrore në Podujevë. Pas më shumë se 50 viteve, nipi i Ramush Ramës, Përparimi hoqi gjitha barrierat për të dhënë lejen për ndërtimin e xhamisë qendrore në kryeqytet.
“Procesin e ndërtimit të ‘Xhamisë’ më në fund e kemi vënë në binarët e duhur!
Ky proces u shoqërua me procedura të stërzgjatura, me pajisjen e BIK-ut me kushtet ndërtimore në vitin 2017, të cilat u plotësuan me ndryshime më vonë në vitin 2020, kur edhe u pajisën me lejen për sigurimin e gropës së gërmimit.
Qytetarët e lagjeve ‘Dardania’ e ‘Ulpiana’ duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Andaj, jemi të lumtur që më në fund, këtë proces sot e përmbyllëm me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e këtij objekti fetar”, shkruan Rama në njoftim./Indeksonline/