18:15 / E Diele, 10 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Historiani i shquar copëton dhe hedh në lumë trupin e ish-studentes

Policia në Shën Petersburg ka arrestuar historianin e shquar rus, Oleg Sokolov, pasi u kap duke hedhur në lumë krahët e trupit të copëtuar të ishstudentes së tij.

Mediat lokale raportuan se profesori 63-vjeçar i Universitetit Shtetëror të Shën Petersburgut u kap në gjendje të dehur, teksa përpiqej të hidhte krahët e Anastasia Yeshchenko, 24 vjeçe, në lumin Moyka.

Mendohet se 24-vjeçarja e ndjerë ishte e dashura e Sokolov. Ai u tha hetuesve se e qëlloi “të dashurën e vet pas disa argumentash”. Sipas të dhënave, 63-vjeçari copëtoi trupin e ishstudentes, me të cilën kishte bashkëpunuar për disa studime.

Në shtëpinë e tij u gjend një sharrë me njolla gjaku.

Historiani është autor i disa librave për udhëheqjen e Napoleon Bonapartit. Ai është anëtar i Institutit Francez të Shkencace Sociale, Ekonomisë dhe Politikës (ISSEP). ISSEP njoftoi përmes një deklarate se Sokolov nuk e gëzon më këtë post.

Në vitin 2003, Sokolov u nderua nga Franca me Legjionin e Nderit, titulli më i lartë për meritat ushtarake dhe civile, themeluar në vitin 1802 nga Bonaparti.