Historike/ Sot mbahet konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

16 vite nga firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, ku nisi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, 8 vite nga marrja e statusit të vendit kandidat dhe disa vite pritje, ndonjëherë edhe pa meritë, Shqipëria ndërmerr sot hapin e madh! Më në fund nisin bisedimet zyrtare në tryezë me Bashkimin Europian, vrapi i fundit drejt anëtarësimit të plotë.
Delegacioni i Shqipërisë në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të përbehet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë kyç në procesin e integrimit. Delegacioni do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, dhe përbëhet nga figura kryesore shefja e diplomacisë Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, si dhe zv.min. e drejtorët që merren me çështjen e negociatave.
Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u mor ditën e shtunë, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.