07:13 / E Mërkurë, 17 Nëntor 2021 / OSH

Holanda regjistron numrin më të madh të rasteve ditore me COVID-19

Në shumë vende të Bashkimit Europian po regjistrohen shifra të larta infektimesh me COVID-19. Prej disa ditësh Holanda raportoi shifra të larta infektimesh, por gjatë 24 orëve të fundit Holanda regjistroi numrin më të madh të rasteve ditore me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.

Instituti Shtetëror i Shëndetësisë dhe Mjedisit (RIVM) i Ministrisë së Shëndetësisë njofton se në 24 orët e fundit janë shënuar 19.274 raste me COVID-19, shifra më e lartë ditore e regjistruar në vend që nga fillimi i pandemisë.

Numri i personave që marrin trajtim kundër COVID-19 në spitale ka tejkaluar 2.000 në 24 orët e fundit ndërsa ka arritur në 380 numri i personave në kujdesin intensiv. Qeveria më 2 nëntor me fillimin e rritjes së rasteve të COVID-19 njoftoi rizbatimin për vendosjen e maskës, distancës si dhe zgjerimin e zbatimit të kartës për COVID-19.

Qeveria e cila pavarësisht masave shtesë nuk arriti të parandalojë rritjen e numrit të rasteve, vendosi që vendi të shkojë drejt një mbylljeje të pjesshme 3 javore nga 13 nëntori deri më 4 dhjetor.