75 Mall Live Search
22:50 / E Enjte, 27 Janar 2022 / MSH

Hondurasi zgjedh presidenten e parë femër

Xiomara Castro është betuar si presidentja e parë femër e Hondurasit, mes një krize politike që kërcënon planet e saj për kombin.

Duke folur në ceremoni, liderja e majtë tha se ajo po merrte drejtimin e një vendi “të thyer”, por se u zotua të ndiqte drejtësinë sociale dhe transparencën, shkruan BBC.

Castro, 62 vjeçe, ka premtuar se do të luftojë bandat e fuqishme të trafikut të drogës dhe se do të punojë në ligjet e rrepta mbi abortin.

Burri i Castros, Manuel Zelaya, drejtoi vendin nga viti 2006 deri në vitin 2009, në kohën kur u rrëzua nga një grusht shteti. 

Ajo kandidoi për detyrë dy herë në vitet pas largimit të bashkëshortit nga ky post, deri sa të fitonte zgjedhjet në nëntor të vitit të kaluar.

Që atëherë, zonja Castro ka shijuar një valë pozitiviteti në publik. Ardhja e saj shënon fundin e mbretërimit 12-vjeçar të Partisë Kombëtare të krahut të djathtë, e cila është përfshirë në skandale dhe akuza për korrupsion.

Mijëra njerëz iu bashkuan ceremonisë së inaugurimit në stadiumin kombëtar në kryeqytetin, Tegucigalpa.

“Katastrofa ekonomike që po trashëgoj është e pashembullt në historinë e vendit tonë”, tha ajo në fjalën e saj, duke theksuar nevojën e ristrukturimit të borxhit kombëtar.

“Qeveria ime nuk do të vazhdojë vorbullën e plaçkitjes që ka dënuar breza të rinjsh të paguajnë borxhin që kanë marrë pas shpine”, ka premtuar Castro.

Në mesin e qytetarëve dhe figurave publike që ndoqen inaugurimin e Castros ishte edhe zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris.