15:31 / E Premte, 20 Janar 2023 / shkelqim osmanaj

Hoteli ku mund të flini në dy shtete në të njëjtën kohë

“Ju jeni në dhomën nëntë, është një nga dhomat tona dykombëshe”, konfirmoi me buzëqeshje menaxheri i hotelit derisa po ia dorëzonte një klienti një çelës metalik të vjetër.

Hoteli ku mund të flesh njëkohësisht në dy shtete ndodhet në një fshat të vogël, i vendosur në majë të maleve me pyje të dendur Jura, që ndajnë Francën dhe Zvicrën. I ndërtuar në stilin fshatar, që është shumë i përhapur në këtë pjesë të Evropës, hoteli i vogël familjar “Hotel Arbez Franco-Suisse”, i quajtur gjithashtu “L’Arbézie”, ka veçorinë e të ulurit pikërisht në majë të një kufiri ndërkombëtar, shkruan CNN-i.

Ky organizim i pazakontë është pasojë e paqëllimshme e Traktatit të Dappes të vitit 1862, me të cilin Franca dhe Zvicra ranë dakord për një shkëmbim të vogël territorial, në mënyrë që të lejonin kontrollin e plotë francez të një rruge strategjike aty pranë.

Në traktat ishte parashikuar që çdo ndërtesë përgjatë kufirit të qëndronte në vend, një rrethanë të cilën një sipërmarrës vendas e përdori për të hapur një dyqan dhe një lokal, për të përfituar nga tregtia ndërkufitare. Rezultati është se afërsisht gjysma e hotelit është në Francë dhe gjysma tjetër në Zvicër, me kufirin ndërkombëtar që përgjysmon restorantin dhe disa nga dhomat. Do të thotë që mysafirët flenë me kokën në Zvicër dhe këmbët në Francë, shkruan më tej CNN-i në artikullin për hotelin.

Të dukshme nga dritarja, dhe vetëm disa metra larg, ishin dy pikat kufitare, ajo zvicerane në anën e djathtë, ajo franceze pak më poshtë në të majtë, me hotelin që zinte një ngastër trekëndore toke të ndara midis të dyjave.

Nga Luftërat Botërore e deri te pandemia e fundit me COVID-19, pozicioni unik i hotelit ka qenë një burim i pafund situatash dhe historish kurioze. Ajo reflektohet gjithashtu në disa nga elementët dekorativë të gjetur në të gjithë pronën.