Hoti: Aksionet në luftën ndaj krimit të organizuar vazhdojnë, për 4 muaj qeverisjeje fjalën “korrupsion” e kemi hequr nga diskursi publik

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka zhvilluar sot një takim me komisionerin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Pas kësaj, Hoti deklaroi para mediave se bashkë me të kanë diskutuar për zhvillimet e rëndësishme në Kosovë, ndër to dialogun, luftimin e korrupsionit dhe çështjen e liberalizimit të vizave.
Hoti tha se si Qeveri e Kosovës janë të vendosur për të quar përpara agjendën e reformave evropiane.
“E them me kënaqësi që në katër muaj të qeverisjen sonë, fjalën korrupsion e kemi larguar nga diskursi publik dhe kemi treguar vendosmëri të madhe në luftimin e krimit të organizuar. Aksionet që janë zhvilluar para dy javë, po vazhdojnë ende dhe do të shihni edhe tjera në ditët në vijim, për të vendosur rend dhe ligj. Jemi në mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha Hoti, shkruan Indeksonline.

Gjithashtu Hoti falënderoi komisionerin dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të Kosovës.
“Folëm edhe për dialogun, proces i rëndësishëm me plot sfida por shumë i rëndësishëm për të përmbyllur marrëveshjen e paqes. Liberalizimi i vizave mbetet çështje e rëndësishme, ne kemi plotësuar kushtet në vitin 2018 dhe më vie mirë që në Raport theksohet se Kosova ka plotësuar këto kushte dhe besoj se vendet anëtarë të EB-së po lëvizin në këtë drejtim. Komisioneri e kupton mjaftë mirë këtë çështje për qytetarët, studentët por edhe lirimin e bizneseve”, tha Hoti./Indeksonline/