14:18 / E Shtunë, 24 Shtator 2022 / shkelqim osmanaj

Hoti akuzon qeverinë se ka penguar komunat në dy mënyra

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi që Qeveria e Kosovës mbajti takim me kryetarët e komunave.

Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës përveç se nuk po i zbaton projektet kapitale që i ka në plan, ka penguar komunat në dy mënyra.

Sipas tij, pengesa e parë që u ka bërë qeveria komunave është pritja e gjatë për bartje dhe ridestinim të mjeteve vetanake, ndërsa e dytë është bllokimi shumë i  gjatë i Organit Shqyrtues të Prokurimit./IndeksOnline/

Postimi i plotë:

Qeveria, përveç që nuk i zbaton projektet e veta kapitale, i ka penguar edhe komunat në dy mënyra:

1. Kërkesat e komunave për bartje dhe ridestinim të mjeteve vetanake kanë pritur me muaj për miratim nga Ministria e Financave, duke humbur muajt e verës kur është koha optimale për kryerjen e projekteve kapitale. Kur janë miratuar kërkesat, është bërë tepër vonë për të kryer procedurat e prokurimit dhe zbatuar ato projekte brenda vitit. Sipas ligjit, është e drejtë ekskluzive e komunave për të vendosur se për çfarë do t’i përdorin të hyrat vetanake. Kërkesat për bartje të të hyrave vetanake miratohen sipas procedurave formale ligjore dhe nuk i nënshtrohen diskrecionit të Ministrit të Financave.

2. Qeveria e ka mbajtur të bllokuar shumë gjatë Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke bllokuar shumë projekte kapitale për të cilat ka pasur ankesa. Kjo e ka vonuar edhe më tutje zbatimin e projekteve kapitale qendrore dhe lokale.

Shpenzimet kapitale të nivelit qendror janë në nivelin më të ulët historikisht prej 9%. Ndërkaq, sot në Pejë, Qeveria u kërkon Kryetarëve të Komunave Qeveria t’u bëjnë presion kompanive që të kryejnë punët në terren për projekte që janë të komunave.