75 Mall Live Search
10:44 / E Enjte, 28 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Hoti: Arsimi, vlera vitale e një shteti

Për herë të parë në vendin tonë është bërë institucionalizimi i garës në shkolla. Në kuadër të Programit Nacional në të gjitha shkollat e ciklit të ulët, të ulët të mesëm dhe të mesëm të lartë do të organizohen garat në nivel shkollor, komunal dhe republikan në dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik, si dhe në sport.

“Për herë të parë do të kemi institucionalizim të garës në shkolla, ku çdo gjeneratë konkurron me gjeneratën e vet. Më të mirët nxirren nga secila shkollë dhe më pas ato marrin pjesë në garat komunale dhe më pas më të mirët e komunave në garat republikane. Krejt filozofia e garës është e konceptuar më tepër te shkolla, sepse të gjithë nxënësit do ta kenë mundësinë për të garuar dhe për t’u argëtuar”, ka theksuar Rexhep Hoti, koordinator i qeverisë për Programin Nacional në “Studion e Hapur” në RTK 3.

Ai tutje ka thënë se të gjithë duhet të rrekemi fuqishëm te nxënësi i Republikës së Kosovës dhe përmes nxënësit t’ia rikthejmë dinjitetin vendit.

“Nëse të gjithë do të jemi unik në investimin e programit nacional dhe të bëjmë agjendë për nxënësin e Kosovës, e kjo do të thotë agjendë për mësimdhënësin, për menaxhmentin drejtues të arsimit dhe për të ardhmen e një shoqërie, atëherë do e kuptojmë se vlera vitale e një shteti është arsimi, e pastaj vijnë të tjerat”, ka shtuar Hoti.