75 Mall Live Search
20:26 / E Mërkurë, 24 Qershor 2020 / indeksADMonline

Hoti: Askush nuk mund të cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës, lufta e UÇK-së ishte e drejtë!

Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me aktakuzën e ngritur në drejtim të presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Hoti tha se Qeveria e Kosovës konsideron se askush nuk mund të cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës, raporton Indeksonline.

Tutje ai shtoi se Qeveria e Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi dhe se Qeveria e Kosovës beson se lufta e popullit të Kosovës dhe UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare.

Postimi i plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi.

Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit.