Hoti e gjen një defekt të qeverisë për reformën fiskale: Qeveria e ardhshme ka shumë punë për të përmirësuar dëmet!

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka kritikuar qeverinë Kurti për reformën fiskale.
Sipas tij, qeveria e ardhshme do të ketë punë për të përmirsuar dëmet e këtij ekzekutivi.
“Sipas ligjit të ri për procedurat tatimore, nëse biznesi ka paguar më shumë TVSH në administratën tatimore, nuk mund ta shfrytëzojë atë kreditim tatimor mbi 3 vjet. Sapo të kalojë periudha 3-vjeçare ajo shumë e parapagimit tatimor për biznesin është e humbur.
Ndërkaq, pagesat e tepërta të tatimit në fitim për periudhën mbi 3-vjeçare nuk mund të rimbursohen e as të transferohen në obligime të tjera tatimore që biznesi ka ndaj shtetit.
Ky është rezultati i “reformave tatimore” kur ato bëhen pa debat publik shterues dhe miratohen me procedura të përshpejtuara në kuvend.
Qeveria e ardhshme ka shumë punë për përmirësimin e dëmeve të shkaktuar me ligje e ndërhyrje kontradiktore kundër biznesit dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë social”, shkruan Hoti në reagim./Indeksonline/