16:41 / E Martë, 26 Janar 2021 / Blerim

Hoti e Tahiri përuruan Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti me një pjesë të kabinetit qeveritar dhe bashkë me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Nasuf Aliu, sot kanë prerë shiritin e objektit të ri të Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, në qytetin e Vushtrrisë.

Kryeministri, Avdullah Hoti përgëzoi kryetarin Tahiri si dhe artistët vushtrrias për objektin e ri të kulturës.“Ky objekt pa dyshim do të ndikojë në organizimin më të mirë të jetës kulturore dhe artistike në ketë qytet që e kemi të gjithë për zemër, për traditën e madhe të mikpritjes“, tha Hoti.                                  

Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se Shtëpia e kulturës ”Hasan Prishtina” ka ruajtur vlerat e veta që nga themelimi i saj bashkë me bibliotekën, bashkë me sallën e vallëzimit, me ansamblin, arkivin e qytetit dhe të gjitha objektet tjera përcjellëse. “Shtëpia Kulturës, qëndron sot dhe do të qëndroj përgjithmonë si dëshmi e besimit në ndryshim dhe si dëshmi  asaj që atë që e deshën qytetarët e Vushtrrisë, që në ketë vend  të vazhdojë të mbetet shtëpi e kulturës. Ky objekt do të vazhdoj të ndritë e të shendit dhe ta bëj krenare Vushtrrinë, qytetin tonë Vicianën Antike” u shpreh kryetari Tahiri.

Po ashtu edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi theksoi se qytetit të Vushtrrisë sot iu shtua edhe një pasuri. ”Vushtrria e pasur me organizime të shumta, Takimin  e Poeteshave, monumente të Trashëgimisë Kulturore që bartin vlera arkitektonike dhe përbëjnë thesarin e trashëgimisë kulturore jo vetëm në Vushtrri por në gjithë Kosovën”, tha Dumoshi.