75 Mall Live Search
13:56 / E Martë, 12 Nëntor 2024 / Z S

Hoti: Ekonomisë së Kosovës i mungojnë qindra miliona euro për shkak të mosrealizimit të investimeve kapitale të planifikuara

Ish-kryeministri i Kosovës dhe tashmë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka hedhur kritika ndaj qeverisë Kurti lidhur me mosrealizimin e investimeve kapitale.

Sipas Hotit, ekonomisë së Kosovës i mungojnë qindra miliona euro për shkak të mosrealizimit të investimeve kapitale të planifikuara.

‘’Ekonomisë së Kosovës i mungojnë qindra miliona euro për shkak të mosrealizimit të investimeve kapitale të planifikuara. Rrugët rajonale, të nisura në qeveritë paraprake, kanë mbetur në gjysmë në gjithë Kosovë. Projektet e reja të premtuara as që kanë nisur, si Aeroporti i Gjakovës, rruga për Tetovë, rruga për Plavë, hekurudha për Durrës’’, ka shkruar Hoti.

Më tej deputeti i LDK-së thotë se realizimi i investimeve kapitale të kësaj qeverie është përgjysmë më i ulët se në qeveritë paraprake.

Ai ka prezantuar edhe një historik të realizimeve të investimeve kapitale.

Ja historiku i realizimit të investimeve kapitale në disa qeveri:

Qeveria Mustafa (2015-2017) 19%

– Qeveria Haradinaj (2018-2019) 18%

– Pandemia covid-19 (2020) 9.7%

– Qeveria Kurti (2021-2024) 10%./Indeksonline/