Hoti falënderon komisionerin Varhelyi, për 50 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, e ka pritur sot në një takim komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi.
Hoti e ka falënderuar BE-në për disbursimin e 50 milionë eurove ndihmë financiare për Kosovën në këto kohë të vështira të pandemisë dhe të problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset dhe ekonomia e Kosovës.
“Pata kënaqësinë që ta prisja në Prishtinë komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, i cili solli në Prishtinë një lajm fantastik për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën, atë të planit të investimeve dhe të rimëkëmbjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vlerë totale prej 28 miliardë euro, prej të cilave 9 miliardë janë grante, që do t’u jepen vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Ne si Qeveri kemi propozuar projekte për t’u bërë pjesë e këtij plani të investimeve, të cilat janë përfshirë plotësisht, përfshirë autostradën Prishtinë – Merdar, hekurudhën Prishtinë – Merdar, gazpërçuesin nga Maqedonia e Veriut, trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, fazën e dytë të Ibër-Lepencit, infrastrukturën Broadband, projektet që lidhen me dekarbonizimin dhe projektet e tjera”.
“Dëshiroj të falënderoj komisionerin dhe Bashkimin Evropian, për disbursimin e 50 milionë eurove ndihmë financiare për Kosovën në këto kohë të vështira të pandemisë dhe të problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset dhe ekonomia e Kosovës”.
“Sigurisht, liberalizimi i vizave mbetet çështje shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Ne kemi plotësuar kushtet në vitin 2018 dhe më vjen mirë që edhe në raportin e BE-së theksohet që Kosova i ka plotësuar këto kushte dhe shpresoj që Bashkimi Evropian, vendet anëtare të lëvizin përpara në këtë drejtim. Më vjen mirë ta them që komisioneri e mirëkupton plotësisht ndjeshmërinë e kësaj çështje edhe për qytetarët, edhe për lëvizjen e studentëve dhe bizneseve të Kosovës”.