75 Mall Live Search
12:44 / E Mërkurë, 31 Korrik 2019 / indeksADMonline

Hoti: I përgjigjemi ftesës së Thaçit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se vonesat për takim nga ana e Presidentit Hashim Thaçi janë të paarsyeshme.

Sipas tij, ata do t’i përgjigjen ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve, përndryshe asnjë temë nuk mund të diskutohet në këto konsultime, transmeton Indeksonline.

“Ne ende nuk kemi marrë ftesë nga Presidenti për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve. Këto vonesa janë të pa arsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive. Koalicioni PAN nuk ka pasur legjitimitet tash e një vit për të qeverisur me Kosovën dhe nuk ka as tani për të propozuar një mandatar të ri. Ne do t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë temë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se nëse  nuk shpallen zgjedhjet, do të kërkojnë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit.

“Duke qenë se nuk ka një iniciativë të tillë nga Presidenti, ne do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit, siç parashihet me nenin 83, pika b, e Rregullores të Punës të Kuvendit. Në këtë seancë, paraprakisht do të kërkojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, e cila Kosovës i sigurojnë fonde rreth 100 mil euro. Votimi i kësaj marrëveshjeve kërkon 2/3 e votave të deputetëve dhe është e rëndësishme që këto fonde të mos humben ose të prolongohet shfrytëzimi i tyre, për shkak se Kosova ka pasur një qeveri jo legjitime”, ka shtuar mes të tjerash Hoti./Indeksonline/