12:02 / E Premte, 08 Qershor 2018 / indeksADMonline

Hoti i quan “plaçkë moderne institucionale” 53 milionët e “Bechtel Enkas”

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një konference për media ka hedhur kritika si ndaj Presidentit Hashim Thaçi, ashtu edhe ndaj Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Hoti vlerëson se Presidenti Thaçi ka bllokuar KQZ-në nga data 27 mars e këtij viti, si diçka që po ndodh për herë të parë në këtë institucion.

“Presidenti nuk është duke e kryer detyrën kushtetuese, ku ai duhet ti pranoj propozimet e partive politike për anëtare të KQZ-së. Me ketë vonesë presidenti ka krijuar një precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor në vend dhe për demokracinë.. Mos funksionalizimi i KQ z së për dy muaj ka ndikuar negativisht në punën e kuvendeve komunale. Ne kërkojmë që presidenti sa më parë të  kryej obligimin kushtetues dhe të emëroj anëtarët e KQZ-së”, u shpreh ai.

Ai tutje ka folur edhe për ndarjen e 53 milionëve nga Qeveria për autostradën “Bechtel & Enka”-n, për përfundimin e projektit të autostradës R6, Prishtinë – Hani i Elezit”.”

Kjo, sipas Hotit është plaçkë moderne institucionale.

“Ky është abuzim i parasë publike. Siç ka qenë abuzim dhe falja e 60 milion euro borxhe të ndryshme. Mandej ndarje të vazhdueshme të mjeteve nga rezervat shtetërorë pa asnjë kriter. Rritja e pagave për kabinetin qeveritar. Ose shpenzimet qe behën për 70 zv.ministra tash dhe për koordinator nacional. Kjo është plaçkë moderne institucionale”, tha Hoti, përcjell KosovaPress.

Ai ka përsëritur edhe qëndrimin e LDK-së për platformën për bisedimet.

“Në parim jemi ndër partitë e para  që e kemi mbështetur dialogun. Por jemi parti opozitare, e kemi thënë fjalën tonë në Kuvend. Lidhur me këtë platformë e kemi bërë publik qëndrimin si parti politike që draft platforma që është dorëzuar në kuvend, nuk e ka mbështetjen tonë. Tash presim çfarë platforme të re do të sjellë qeveria dhe pastaj do ta themi fjalën tonë prapë”, u shpreh Hoti.