10:31 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

Hoti jep edhe një premtim, thotë se duhet të shqyrtohen të gjitha rrugët ligjore

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, priti sot në një takim përfaqësuesit e shoqatave “HANDIKOS”, “Down Syndrome Kosova”, SOS fshatrave të Kosovës, si edhe përfaqësuesit e strehimoreve të Kosovës.

Në këtë takim kryeministri Hoti, propozoi që të shqyrtohen të gjitha rrugët ligjore dhe me të gjitha shoqatat, të cilat ofrojnë shërbime publike për grupe të caktuara, të hartohet një marrëveshje kornizë trevjeçare për financimin e tyre.

Qëllimi i hartimit të marrëveshjes kornizë, është sigurimi i financimit të rregullt për të gjitha shoqatat, që ofrojnë shërbime publike, të cilat Qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore nuk kanë kapacitet t’i ofrojnë.

Nisma e Hoti, për hartimin e marrëveshjes kornizë trevjeçare për financimin e rregullt të shoqatave, të cilat ofrojnë shërbime publike për grupe të caktuara, u vlerësua si vendosje e standardeve të reja në bashkëpunimin e këtyre shoqatave me Qeverinë.