Hoti kërkon protestë në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe aleancës me SHBA-në
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një reagimi në Facebook, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste demokratike në mbështetje të projektit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) me origjinë amerikane dhe forcimit të aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në deklaratën e tij, Hoti thekson se refuzimi i këtij projekti nga qeveria në detyrë e Kosovës rrezikon që vendi të mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor jashtë një iniciative rajonale energjetike, duke shtuar se projekti është i lidhur me Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020.
Ai kritikon qeverinë aktuale për, siç thotë ai, mungesë të argumenteve ekonomike në refuzimin e projektit.
Më poshtë postimi i plotë
Duke refuzuar projektin e Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane, Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që mbetet jashtë këtij projekti.
Refuzimi i këtij projekti nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga LVV-ja, po vazhdon pavarësisht insistimit të fuqishëm të Administratës Amerikane, të shprehur nga zyrtarë të lartë amerikanë në Kosovë dhe në Uashington gjatë javëve të fundit që Kosova të bëhet pjesë e këtij projekti rajonal.
Projekti i gazit buron nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila u kundërshtua nga të gjitha krahët politikë, në veçanti nga LVV-ja. Disa vartës dhe shërbyes të LVV-së, për të treguar devotshmëri politike, e cilësonin këtë marrëveshje si antikushtetuese.
Në atë kohë, këto kundërshtime u neglizhuan dhe u cilësuan si rivalitete politike lokale. Nga frika e kritikave dhe sulmeve politike nga LVV-ja, shumë eksponentë politikë kishin frikë ta përmendnin Marrëveshjen e Uashingtonit dhe projektin e gazit. Madje, kritikohej edhe insistimi im për zbatimin e asaj marrëveshje. Vetëm së fundmi, pasi projekti po kërkohet me ngulm nga pala amerikane, këta eksponentë kanë nisur të ngrenë zërin.
Sot, secili e ka të qartë se ato kundërshtime burojnë nga orientimi antiamerikan i LVV-së. Dhe kjo nuk është gjë e re. LVV-ja ka qenë kundër negociatave të Vjenës që sollën pavarësinë, si dhe kundër Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që hapi rrugën e integrimit evropian të Kosovës.
Arsyet e dhëna nga Qeveria e Kosovës për refuzimin e projektit të gazit janë të natyrës ekonomike dhe plotësisht të pabaza. Është deklaruar se projekti përmban rreziqe dhe se duhen informata shtesë për të vlerësuar nëse është ekonomikisht i leverdishëm. Është deklaruar se strategjia e re energjetike e Kosovës, parasheh ripërtëritjen e kapaciteteve ekzistuese me qymyr dhe krijimin e kapaciteteve të reja nga burime të ripërtërishme. Dhe së fundmi, shfaqet papritur edhe interesimi i Qeverisë për idenë e shndërrimit të qymyrit në gaz sintetik.
Por, siç është deklaruar shumë qartë nga pala amerikane, asnjëra nga këto arsyetime nuk bie ndesh dhe nuk e përjashton projektin e gazit amerikan. Ky projekt është plotësisht komplementar me të gjitha projektet energjetike të parapara nga Kosova, duke i mundësuar Kosovës diversifikimin e burimeve energjisë dhe sigurinë e plotë të furnizimit të pandikuar nga importi. Kështu që, projekti i gazit jo që nuk mund të refuzohet mbi baza ekonomike, por i ka në favor të gjitha argumentet ekonomike.
Rreziku që po i vjen Kosovës nga refuzimi i këtij projekti nuk është vetëm me pasoja ekonomike, të cilat në fakt jemi duke i paguar tash e katër vite. Përmes faturave shumë më të larta, qytetarët dhe bizneset në Kosovë kanë paguar 735 milion euro për import të energjisë nga vendet fqinje në katër vitet e fundit, prej tyre 142 milion euro në 2024 dhe 259 milion euro në 2025. Izolimi i Kosovës nga ky projekt pamundëson diversifikimin e burimeve energjetike. Duke mbetur e varur nga qymyri, Kosova në të ardhmen detyrohet të paguajë tarifë për emetim të karbonit, të cilat tarifa do t’i paguajnë qytetarët dhe bizneset përmes faturave më të shtrenjta të energjisë.
Siç deklarohet nga pala amerikane, projekti i gazit amerikan ka për qëllim, para se gjithash, të largojë ndikimin rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Rrjedhimisht, ky projekt ka rëndësi gjeopolitike për Kosovën, rajonin dhe gjithë aleancën euro-atlantike.
Kështu që, refuzimi i këtij projekti mund të jetë i motivuar vetëm nga orientimi antiamerikan.
Unë bëj ftesë që odat ekonomike, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit të bashkohen në protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe ruajtjes së aleancës së pacenueshme të popullit të Kosovës me popullin amerikan.

